Kancelares gjermane Angela Merkel, i është rezervuar një pritje madhështore në Kosovë. Ajo do të mbërrijë në Kosovë të hënën në ora 11, në aeroportin “Adem Jashari” ku do të jetë Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që do të parakalojë para saj.

Më pas, ajo do të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku në përfundim të takimit do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, në ambientet e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës.

Edi Sejdiu, shef i protokollit të Kryeministrit, ka thënë për Top Channel nëpërmjet telefonit se “kjo mund të quhet një vizitë historike”, dhe se “janë marrë të gjitha masat për një pritje madhështore të kancelares gjermane”.

Gjatë qëndrimit të saj disa orësh, ajo do të mbajë takime të ndara edhe me komandantin e KFOR-it, gjermanin Erhard Dreës, me kreun e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, dhe përfaqësuesin e Bashkimit Europian, Fernando Gentilini.

Vizita e Kancelares gjermane në Kosovë, vjen vetëm pak ditë pasi ajo kundërshtoi fuqishëm marrjen nga ana e Serbisë të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, për shkak të politikës së saj ndaj Kosovës, duke e kushtëzuar me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kjo kishte bërë që faqet e gazetave, dhe jo vetëm, të mbushen me shprehjen “Faleminderit Gjermani”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA