Në asnjë mënyrë apo variant nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Kështu ka deklaruar kryeministri Hashim Thaci, gjatë një debati të zhvilluar me analistët kosovarë në KTV.

“Ndarja e Kosovës është një ide e tejkaluar e cila nuk do të gjejë zbatim asnjëherë”, ka theksuar Thaci përpara panelit të gazetarëve.

Opsioni i ndarjes së Kosovës është përmendur nga qarqe të caktuara të politikës serbe pas tensionimit të situatës në veri, pas tentativës së Prishtinës zyrtare për të shtrirë autoritetin në këtë zonë.

Në fillim të javës, në një takim me një grup gazetarësh të ardhur nga Serbia, Thaci hodhi poshtë edhe opsionin e një statusi special për veriun.

Thaci theksoi se për zonën problematike të Kosovës zgjidhja më e mirë mbetet zbatimi i pakos së Ahtisarit.

“Nuk do të ketë as autonomi e as status special, por afirmim dhe respektim të të drejtave të qytetarëve të veriut të Kosovës, të cilët do të zgjedhin vetë liderët e tyre”, tha Thaci.

Madje, Thaci u tha gazetarëve serbë se edhe rezoluta 1244 njeh integritetin territorial të Kosovës në përputhje me standartet evropiane, arsye për të cilën ai e mbështet atë.

Megjithatë, ai refuzoi të saktësonte nëse është e pranueshme formula që rezoluta në fjalë përdor për identifikimin e Kosovës në forumet rajonale.

“Për ne është i pranueshëm cdo formulim që ruan sovranitetin e Kosovës”, nënvizoi Thaci para reporterëve të ardhur nga Beogradi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA