Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka deklaruar se marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Serbisë do të vazhdojnë të thellohen.

Ai këtë e deklaratë e bëri të premten mbrëma, në takimin me presidentin serb Boris Tadic, i cili vijoi vizitën e tij dyditore në Shkup, në kuadër të forumit ekonomik midis kompanive të të dyja vendeve.

Sipas agjencisë së lajmeve “INA”, Gruevski në takimin me Tadic vlerësoi rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm dhe të marrëveshjeve të arritura

Në vecanti ai e vuri theksin tek marrëveshja për bashkëpunimin policor, tek ajo për kalimet kufitare me letërnjoftime, marrëveshjet për hapjen e pikave të reja kufitare dhe marrëveshjet e tjera për bashkëpunim ekonomik, tregtar, kulturor, etj.

Kryeministri Gruevski gjithashtu shprehu gatishmërinë që Maqedonia të ndihmojë Serbinë me përvojën e saj të deritanishme në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe presidenti Tadic, i cili tha se marrëdhëniet midis dy vendeve duhet të vazhdojnë të përparojnë në të ardhmen.

“Ne kemi aspirata të përbashkëta për anëtarësimin në BE dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për prosperitet në tërë rajonin e Ballkanit”, tha Tadic.

Më herët gjatë ditës së premte, Tadic u takua me homologun Ivanov, takim pas të cilit deklaroi se, Kosova është një interes legjitim i Serbisë dhe për rrjedhojë Beogradi nuk do të heqë dorë prej saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA