Rexhepi: Ndihmat ruse, karakter politik

17/12/2011 14:00

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi ka deklaruar se ndihmat ruse për serbët e veriut nuk kanë karakter humanitar, por politik.

Në një prononcim për “REL”, Rexhepi është shprehur se vetë përmbajtja e atyre ndihmave tregon se për ku janë destinuar ato, për përforcimin e barrikadave.

“Ky ka qenë një vendim politik i Rusisë për arsyen se krizë humanitare në veri nuk ka. Vetë përmbajtja e atyre ndihmave, tenda, gjeneratorë dhe soba, tregon se ndihmat janë për strukturat ilegale, në mënyrë që ato të kenë kushte për të qendruar pranë barrikadave”, ka deklaruar Rexhepi.

Ministri i Brendshëm ka shtuar se, nëse ndihmat do të kishin karakter humanitar, atëherë ato do të shpërndaheshin edhe në zona të tjera të Kosovës ku ka banorë serbë.


Të njëjtën gjë tha një ditë më parë për Top Channel
edhe këshilltari i zotit Rexhepi, Fisnik Rexhepi, i cili u shpreh se e mira e kësaj cështjeje është se mallrat kontrollohen nga EULEX-i.

Ndërkohë, zërat për një krizë humanitare në veri u mohuan edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një intervistë të dhënë të premten për VOA.

Jahjaga tha se nëse ndihmat duan të hyjnë në Kosovë, ato duhet të respektojnë ligjet e shtetit kosovar.

“Nuk kemi të bëjmë me krizë humanitare, por me barrikada që po bllokojnë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve. Republika e Kosovës ka institucionet e veta dhe cdo shtet tjetër duhet të respektojë ligjet dhe procedurat e saj”, deklaroi Jahjaga.

Top Channel