Dialogu mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës për liberalizimin e regjimit të vizave do të nisë më 19 janar të vitit të ardhshëm, bëjnë të ditur mediat kosovare.
Sipas raportimeve të “RTK”, që citon burime pranë Komisionit Evropian, komisionerja e Cështjeve të Brendshme, Cecilia Malmstrom i ka propozuar këtë datë homologut kosovar Bajram Rexhepi.
Sipas “RTK”, më 19 janar Malmstrom do të vizitojë Prishtinën, ku dhe do të njoftojë zyrtarisht nisjen e dialogut mes palëve.
Burimi mediatik nënvizon se Brukseli vlerëson se Prishtina ka hyrë në rrugën e duhur për zgjidhjen e disa prej problemeve që janë dhe kritere për lëvizjen e lirë.
Kështu, autoritetet kosovare kanë bërë progres në procesin e riatdhesimit dhe riintegrimit, në instalimin e sistemeve të teknologjisë informative, në trajnimin e stafit të aeroportit dhe në komunikimin mes pushtetit komunal dhe atij qendror.
Në këtë drejtim zyrtarët evropianë kanë vlerësuar vizitat dhe bashkëbisedimet që kryeministri Hashim Thaci, ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi dhe ministrja për Integrimin, Vlora Citaku kanë bërë me krerët e komunave të ndryshme.
Nëse konfirmohet, ky do të jetë një sinjal pozitiv që Bashkimi Evropian i jep Kosovës, në mënyrë që vendi ballkanas të mos mbetet një gropë e zezë në rajon.
Megjithatë, rruga do të jetë e gjatë, pasi presidenti i Këshillit të Evropës, herman Van Rompuy i bëri të qartë kryeministrit Thaci gjatë një takimi në Bruksel se, më parë duhet të plotësohen kushtet dhe pastaj të hiqen vizat.
Vetë Thaci, në mbledhjen e kabinetit të tij pas kthimit nga Brukseli, deklaroi se BE kishte marrë vendime të rëndësishme për Kosovën dhe se kriteret për heqjen e vizave do të plotësoheshin në një kohë rekord.
Top Channel