Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka vijuar ne Washington takimet me zyrtarë të lartë të Shteteve te Bashkuara te Amerikes.

Ajo takoi fillimisht, nënsekretaren amerikane të Mbrojtjes, zonjën Michele Flournoy. Zonja Jahjaga vlerësoi ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit, si dhe përkushtimin amerikan për paqen në Evropë.

Ajo tha se prania ushtarake amerikane në Kosovë dhe kampi ushtarak amerikan ‘Bondsteel’ është garanci për stabilitetin në rajon dhe ka ndihmuar në vendosjen e një marrëdhënieje të fuqishme ndërmjet qytetarëve dhe ushtarëve.

Jahjaga tha se e mirëpret vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë si thelbësore për gjithë stabilitetin në Evropë. Presidentja deklaroi se Kosova ka për synim anëtarësimin në Partneritetin për Paqe dhe në Aleancësn Veri-Atlantike, NATO dhe ndihma e SHBA-së në këtë proces do të ishte kruciale.

Nënsekretarja amerikane e mbrojtjes u interesua në veçanti për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për gjendjen në veri të vendit. Ajo e konfirmoi përkushtimin e SHBA-së për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe në rajon. Gjatë ditës Presidentja e Republikës së Kosovës u takua edhe me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Robert Mueller. Në këtë takim u diskutua për modalitetet e bashkëpunimit në luftimin kundër e krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Top Channel