Banka Botërore ka deklaruar se ka miratuar një strategji të re 4-vjecare për të mbështetur reformat ekonomike në Serbi, me një ndihmë financiare prej 1 miliard eurosh.
Përmes një deklarate për shtyp, BB ka bërë të ditur se një grup i saj do të mbështesë përpjekjet e Serbisë në dy fusha, forcimin e aftësisë konkurruese në ekonominë vendase dhe përmirësimin e efikasitetit të shpenzimeve sociale.
Sipas deklaratës, institucioni më i fuqishëm financiar do të ndihmojë vendin ballkanas edhe në rritjen e buxhetit, nëse ai preket rëndë nga trazirat ekonomike që kanë përfshirë eurozonën.
Më tej, Banka Botërore ka vlerësuar se Serbia vazhdon të mbajë të fortë programin e saj të reformave dhe menaxhimit “të shëndoshë” makroekonomik.
Por pavarësisht deklaratave optimiste të Bankës Botërore, Serbia është një nga vendet me ekonominë më të dobët në Ballkan, fakt ky që më herët gjatë vitit u pasqyrua me një sërë protestash kundër varfërisë në Beograd dhe qytete të tjera të vendit.
Top Channel