Mocioni i votuar në Kuvendin e Kosovës javë më parë nuk po gjen zbatim në terren. Në pikën kufitare në Mërdarë, e cila lidh Kosovën me Serbinë, qarkullimi i mallrave serbë vazhdon me të njëjtin ritëm si para mocionit të Kuvendit.
Ndërkohë, mallrat kosovare vazhdojnë të hyjnë në Serbi vetëm me dokumentacione të po këtij shteti. Çka do të thotë që, kosovarët për të hyrë në Serbi duhet të kenë dokumentacionet e Serbisë.
“Vetëm për 7 ditë në këtë pikë kufitare janë futur rreth 587 maune me mallra të ndryshme, ndërkohë nga Kosova për në Serbi kanë kaluar 26 kamionë”, thotë Sazan Latifaj, nga Dogana e Kosovës në Mërdarë.
Përveç, automjeteve të rënda edhe qytetarët që shkojnë për vizita në shtetin serb e bëjnë po të njëjtën gjë. Makinat me targa kosovare, RKS që të kalojnë kufirin duhet të ndërrojnë target dhe të pajisen me tabelat serbe.
Jozyrtarisht mësohet se pas votimit të mocionit të iniciuar nga “Vetëvendosje”, Doganat e Kosovës nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga qeveria se çfarë masash të reja duhet të ndërmarrë.
Ndërkohë Ministrija e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila vazhdon të deklarojë se çështja e reciprocitetit me Serbinë ishte në fuqi para dhe pas mocionit.
Megjithatë, trajtimi i ndryshëm i qytetarëve nga Kosova nga ata të Serbisë tregon qartë se në këtë pikë mungon reciprociteti se pak unë aspektin politik. Kosovarët për të kaluar kufirin serb detyrohen të pajisen me dokumentacione serbe ndërkohë një gjë e tillë nuk vlen për qytetarët e Serbisë të cilët hyjnë në Kosovë.
Top Channel