Në fjalimin e fund vitit të mbajtur në Kuvend para deputetëve dhe të trupit diplomatik, presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, ftoi Greqinë që ta pranojë realitetin maqedonas, pasi sic u shpreh ai, Maqedonia me asnjë kusht nuk do të pranojë ndryshimin e identitetit kombëtar, gjuhës dhe emrit kushtetues.
“Dua të përcjell një porosi deri tek fqinji jonë. Republika e Maqedonisë është realitet. Ky realitet ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë. Për çështjen e identitetit, gjuhës, kulturën dhe kushtetutën, aspak nuk dëshirojmë dhe nuk ka nevojë të bisedojmë. Askush nuk ka të drejtë që këto prioritete t’ia kontestoj dikujt tjetër. Këto janë vlera që vetëm mund të konstatohen dhe të respektohen”, tha presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.
Në fjalimin e tij që zgjati rreth 20 minuta, Ivanov me pak fjalë i’u referua marrëveshjes së Ohrit. Deputetët e partive shqiptare të opozitës kanë bojkotuar fjalimin e Ivanovit, pasi nuk e njohin si president të shqiptarëve.
“PDSH rikonfirmon edhe një herë se ky individ nuk është president i shqiptarëve, sepse shqiptarët nuk e votuan atë për president. Tentimi i BDI-së dhe Ali Ahmetit për ta legjitimuar atë si president dështoi sepse Ivanovi mori votat vetëm të Ali Ahmetit dhe funskionarëve të BDI-së, por jo edhe të shqitparëve”, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.
“Nga fjalimi ku nga 5 faqe ka vetëm 5 rreshta për Marrëveshjen e Ohrit flet shumë për atë se sa kryetari i shtetit është i interesuar për Marrëveshjen e Ohrit dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë”, tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.
Opozita maqedonase e ka cilësuar të zbrazët fjalimin ndërsa Ivanovin e ka quajtur zëdhënës të kryeministrit Gruevski.
Top Channel