Karvani prej 27 kamionësh me ndihma ruse për banorët serbë të veriut të
Kosovës ka kaluar të premten në mëngjes vendkalimin kufitar në Jarinë.

Të shoqëruar nga makinat e EULEX, kamionët janë nisur në drejtim të Zveçanit, ku edhe gjendet depoja e Kryqit të Kuq të Serbisë.

Mediat serbe njoftojnë se gjatë natës së mbrëmshme, zyrtarë të EULEX-it kanë kontrolluar dokumentacionin e karvanit dhe sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel midis Komisionit Evropian dhe Moskës, sot është lejuar hyrja e tij.

Mësohet se kamionët nga Rusia po transportojnë ushqim, veshmbathje dhe gjeneratorë për serbët e Kosovës.

Me gjithë kundërshtimin e zyrtarëve rusë që kamionët të hynin pa përcjellje, zyrtarët evropianë dhe ata të Kosovës kanë insistuar në zbatimin e standardeve evropiane.

Deri më tani, Moska zyrtare ka kundërshtuar të respektojë dërgimin e karvanit nga policia e EULEX-it. Ata kanë kundërshtuar gjithashtu kalimin e ndihmave përmes pikës kufitare në Merdarë duke thënë se nuk do të respektojnë procedurat shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ndihma humanitare e Rusisë thuhet se vjen si reagim ndaj kërkesës së mëparshme të serbëve të veriut për shtetësi ruse-kërkesë kjo, e cila ishte hedhur poshtë nga shteti rus.

Për mënyrën e shpërndarjes së këtyre ndihmave folën të mërkurën mbrëma edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton.

Jahjaga tha se ndihmat humanitare që vijnë në Kosovë duhet t’i ndjekin rregullat e njohura ndërkombëtare dhe procedurat që rregullojnë shpërndarjen e ndihmave.

Top Channel