Samuel Eto’o është dënuar nga Federata e Futbollit të Kamerunit (Fecafut) me 7 ndeshje pezullim për një grevë të lojtarëve të kombëtares kamerunase që çoi në anulimin e një ndeshjeje miqësore midis Kamerunit dhe Algjerisë.
“Komiteti i Disiplinës i kësaj federate vendosi që Eto’o të ndëshkohej në mënyrë shembullore për shkak se mban më shumë përgjegjësi si kapiteni i ekipit”, theksoi sekretari i përgjithshëm i Fecafut.
Sulmuesi, i cili aktualisht luan për Anzhin në Rusi, është dënuar për “sjelljen e tij para ndeshjes Kamerun-Algjeri të 15 nëntorit të kaluar”, sipas Fecafut. Kapiteni i ‘Luanëve” dhe shokët e tij bojkotuan këtë ndeshje në shenjë proteste për mungesën e shpërblimeve të premtuara.
Ish-futbollisti i Barcelonës dhe Interit mund të mungojë në shumë ndeshje kualifikuese për Kupën e Afrikës 2013 dhe botërorin Brazil 2014. Eto’o duhet të paraqesë një apelim brenda 10 ditësh kundër këtij ndëshkimi të Fecafut.
Top Channel