Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka deklaruar të enjten në Beograd se
nuk ka në dorë asnjë mjet për të bindur ekstremistët serbë në veri të
Kosovës që të heqin dorë nga aktet e dhunës.

Tadic ka theksuar se nuk ka asnjë mundësi që të mbrojë popullatën e qetë të serbëve të Kosovës dhe jo më atë pjesë radikale që kërkon të luftojë.

“Pengesë për mua është fakti se si president i Serbisë nuk kam as sistem operacional, as ushtri dhe as polici në Kosovë me të cilat mund të mbroj popullatën tonë atje dhe rrjedhimisht as për të ndikuar tek ekstremistët në radhët e saj”, ka deklaruar Tadic.

Ai është shprehur se për të fituar statusin e kandidatit për në BE, Serbia duhet të bindë bashkëkombasit e saj në Kosovë që të mos hapin zjarr ndaj trupave të KFOR-it.

“Me sulmet ndaj KFOR-it, ekstremistët mund të rrënojnë gjithcka që ka arritur serbia deri tani”, ka thënë Tadic, i cili i ka kërkuar serbëve të veriut që të mbrojnë jetën, por edhe të vënë nën kontroll ekstremistët.

Më 9 dhjetor Serbisë iu refuzua statusi i kandidatit për në BE, pikërisht për shkak të sulmit ndaj trupave të KFOR-it dhe moszbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Kosovën.

Vetë Tadic dhe ministri i Brendshëm Ivica Dacic bënë përgjegjës Brukselin për dështimin, me argumentin se kishte vendosur kusht njohjen e Kosovës, akuzë kjo që është përgënjeshtruar nga BE.

Ndërkohë, të premten Tadic do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Maqedoni, në kuadër të një forumi ekonomik midis dy vendeve.

Sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve “INA”, Tadic gjatë vizitës së tij surprizë në Shkup do të takohet me homologun maqedonas Gjorgje Ivanov.

Të dy ata do të jenë të pranishëm në Forumin Ekonomik Serbo-Maqedonas, të organizuar nga Dhoma Ekonomike e Maqedonisë.

Deri tani nuk jepen hollësi për axhendën e presidentit serb me krerët e tjerë të shtetit të Maqedonisë dhe përfaqësuesit e partive politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA