Formimi i komunës së re të Mitrovicës së Veriut dhe decentralizimi i
pushtetit në tri komunat veriore, nga autoritetet ndërkombëtare dhe ato
vendore në Kosovë shihen si procese të dobishme për fillimin e zbatimit
të Planit të Ahtisarit edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Ndonëse decentralizimi në veri ka ngecur për tre vjet krahasuar me komunat tjera, autoritetet shpresojnë që përmes marrjes nën kontroll të pikave doganore 1 dhe 31 në kufi me Serbinë dhe zbatimit të marrëveshjeve që kanë dalë si rezultat i dialogut Prishtinë – Beograd, edhe veriu do t’i nënshtrohet sistemit legal kushtetues dhe rrjedhimisht edhe decentralizimit.

​​Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, Peter Feith, në rolin e mbikëqyrësit të zbatimit të Planit të Ahtisarit, inkurajoi qeverinë të mos kthehet prapa, por të shtrijë autoritetin e vet në veri.

“Strukturat paralele institucionale janë duke operuar në gjithë Kosovën jashtë Pakos së Ahtisarit dhe në kundërshtim me kornizën ligjore të Kosovës”, tha Feith, duke iu referuar strukturave paralele serbe, të cilat nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Ndërsa u shpreh i inkurajuar me përparimet e bëra në komunat e reja me shumicë serbe në pjesët qendrore dhe lindore të Kosovës, ai rikujtoi sfidat në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Ka shumë gjëra që kanë ndryshuar në veri dhe tani po ballafaqohemi me një realitet të ri, të krijuar më 25 korrik, nga i cili nuk mund të ketë kthim prapa”, tha Feith, bën të ditur Europa e Lirë.

Situata e sigurisë në veri mbetet jo e mirë, shtoi ai, kurse rezultatet e dialogut Prishtinë – Beograd “kanë demonstruar një përparim, por ato duhet të zbatohen”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA