Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara, ka deklaruar lidhur me ndihmat ruse se, cështja mund të rregullohet vetëm duke respektuar konventat ndërkombëtare dhe ligjet e Kosovës.

“Ne do të respektojmë të gjitha konventat ndërkombëtare, Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e administratës në këtë proces”, ka deklaruar Jahjaga, e cituar nga “RTK”.

Dy ditë më parë EULEX bllokoi në pikën kufitare të Jarinjës një autokolonë ruse me ndihma të destinuara për serbët në veri të Mitrovicës. Zv/kryeministri kosovar Hajredin Kuçi tha se ndihmat ruse do të kalojnë kufirin atëherë kur drejtuesit e tyre do të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm.

Në të njëjtën linjë me presidenten Jahjaga është shprehur edhe sekretarja Clinton, e cila ka mbështetur tërësisht qëndrimin e presidentes së Kosovës.

“Ne e kemi kontrolluar situatën me OKB-në dhe organizatat e tjera. Në veri nuk ka pasur asnjë raportim për krizë humanitare”, ka deklaruar Clinton.

“Ne bëjmë thirrje që qytetarët e Kosovës, në vecanti ata në veri, të punojnë së bashku. Sipas Kushtetutës së Kosovës, ata kanë të drejta të barabarta”, ka vijuar ajo.

Shefja e diplomacisë amerikane ka theksuar se, sa më shpejt të integrohen të gjithë qytetarët e Kosovës në një shtet të përbashkët, aq më e mundur do të jetë e ardhmja që synojnë autoritetet e Kosovës.

Gjithashtu, zonja Clinton garantoi zonjën Jahjaga për mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin territorial të Kosovës.

“Jemi të përkushtuar për të garantuar se e ardhmja që Kosova po përpiqet të ndërtojë do të ketë rëndësi të madhe në radhë të parë për popullin e Kosovës, por dhe për të gjithë rajonin”, tha Clinton.

Ajo nënshkroi me presidenten kosovare një marrëveshje për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të cilën Jahjaga e cilësoi një akt të fuqishëm simbolik që flet për marrëdhëniet e forta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Jahjaga tha më tej se shpreson që vendimi i javës së kaluar i Bashkimit Evropian të hapë rrugën për integrimin e Kosovës në BE.
 

Top Channel