Një vrasës serb i shumëkërkuar për ekzekutimin e prijësit të grupeve paraushtarake serbe që kryen masakra në Ballkan, Zelko Raznatovic, është arrestuar në Afrikën e Jugut.

Lajmin e bën të ditur gazeta afrikane “New Age”, sipas të cilës shtetasi serb Dobrosav Gavric do të paraqitet muajin e ardhshëm në gjykatë lidhur me akuza për trafik droge.

Gavric u dënua në vitin 2006 nga një gjykatë e Beogradit me 30 vjet burg për vrasjen e Raznatovic, i mirënjohur me pseudonimin Arkani, që pas luftrave në Ballkan figuronte si bosi më i fuqishëm i mafias serbe.

Arkan, i paditur nga gjykata ndërkombëtare e Hagës për krime gjatë luftës së viteve 1992-995 në Bosnje, u qëllua për vdekje në një hotel të Beogradit në vitin 2000.

Sipas gazetës, identiteti i Gavric u zbardh gjatë një hetimi të policisë mbi krimin e organizuar në Kejp Taun. Pritet që Serbia të kërkojë ekstradimin e tij për të shlyer dënimin, ndonëse deri tani zyrtarët serbë s’kanë bërë asnjë koment.

Top Channel