Universiteti i Arteve festoi sot 45 vjetorin e krijmit të tij. Institucioni që deri vonë njihej si Instituti i Lartë i Arteve, hapi dyert e auditorëve për të pritur breza të tërë studentësh dhe profesorësh, si dhe personalitete të artit e politikës, te ftuar gjithashtu në eventin e organizuar me këtë rast.
Festimet u hapën me interpretimin e disa pjesëve muzikore prej studentëve aktualë dhe një ekspozitë me piktura e skulptura të vendosura në hyrjen e godinës. Më pas, Trupa e baletit performoi në hollin qendror në nder të të ftuarve.
“Aktualisht në auditoret e Universitetit të Arteve studiojnë 940 studentë, të cilët përfaqësojnë më të rinjtë nga ajo mori brezash që kanë kaluar në auditoret, skenat dhe ekspozitat e kësaj shkolle. Mbi 5 mijë studentët e diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve dhe Akademinë e Arteve kanë qenë motorri i artit tonë dhe janë sot bartësit kryesorë të traditave më të vyera artistike e kulturore shqiptare”, u shpreh në fjalën e tij Petrit Malaj, rektori i Universitetit.
Figurat më të njohura të së kaluarës dhe së tashmes, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për Universitetin, u nderuan me një çmim vlerësimi dhe falenderimi gjatë ceremonisë.
Ndër të ftuarit ishte edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha.
“U bëj thirrje të gjithë autoriteteve vendore të vendosin një bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Arteve sepse këtu ka talente të mëdha dhe të vërteta të cilët mund të transformojnë qytetet e tyre”, deklaroi kryeministri.
Orkestra e Universitetit të Arteve përmbylli festimet me një koncert me pjesë të zgjedhura të muzikës klasike si dhe interpretime operistike.
Top Channel