Liria e lëvizjes në veri të Kosovës është akoma një ëndërr e bukur të cilën secili prej nesh e sheh cdo ditë. Askush nuk të këshillon të shkosh në Veri, aq më pak në një ditë kur serbët presin ndihma nga “vëllai i madh”, Rusia.

Por kur udhëton në një makinë me targa të Serbisë dhe kur pjesë e ekipit është edhe një pjesëtar i policisë së Kosovës normalisht gjithcka është më e thjeshtë.  Teksa polici kërkon të mos identifikohet, lirshëm e rrëfen përvojën e tij, shoferi Behram Arifi, shqiptar nga Mitrovica. Ai thotë se për cështje biznesi është detyruar të pajiset me dokumentacionin e Republikës së Serbisë.

Fjala geto më së shumti i shkon Veriut të Kosovës, ku me të vërtetë sundon një grup njerëzish ndërsa cdo kush tjetër konsiderohet armik.  Parrullat si “KFOR është okupator”, “EULEX shko në shtëpi”, apo “Kosova është Serbi” shihen kudo.

Në veri të Kosovës tingëllon normale kur sheh automjete me targa të Republikës së Serbisë, pasi një në cdo e dy makina nuk mban fare të tilla. Kjo mund të jetë njëra mënyrë për të mos u identifikuar për veprat që kryhen.

Edhe ndërprerja kontrabandës nga Veriu duket se është vetëm një propagandë për qëllime politike. Cfarë ne pamë për një ditë të vetme janë dhjetëra cisterna nafte disa prej të cilave ndaleshin nëpër pompa benzine në Veri.

Është për të ardhur keq se si një pjesë e gjigantit metalurgjik “Trepca”, sektori i shkrirjes së saj, ndodhet pikërisht në Zvecan. Zvecani është njëra nga tri komunat e kontrolluara nga serbët, rrjedhimisht edhe sektori i shkrirjes i Trepcës funksionon jashtë cdo autoriteti të Prishtinës.

Tri fshatrave shqiptare të Leposavicit, përvec që kishin të këputur lidhjen me Jugun e Mitrovicës, tashmë janë shkëputur tërësisht edhe nga vetë komuna të cilës i takojnë.

Jarinja juridikisht është fshati i fundit kufitar i Kosovës me Republikën e Serbisë. Por gjendja faktike është ndryshe. Akoma pa mbërritur te pika kufitare, ku do të duhej të ishin KFOR-i dhe doganierët e policët kufitarë të Kosovës, takojmë disa serbë të cilët e kanë bllokuar rrugën. Ata na drejtojnë nëpër një rrugë alternative për të shkuar në Serbi.

E teksa Veriu mbahet peng nga strukturat eSerbisë, shteti i Kosovës duhet të ketë harruar kur ka shkelur për herë të fundit në këtë pjesë. Mbetet të shihet në cfarë mënyrë do të realizohet takimi i kryeministrit Thaci me serbët e kësaj zone në një kohë kur drejt Veriut udhëtohet vetëm nëse je serb apo i maskuar në ndonjë makinë me targa të Republikës së Serbisë.

Top Channel