Aktorja fituese e çmimit OSCAR, Meryl Streep është shfaqur në tapetin e kuq të premierës së filmit “The Iron Lady” apo “Gruaja e hekurt” në Nju Jork.
Filmi i cili rrëfen historinë e kryeministres e cila ka udhëhequr më gjatë Britaninë e Madhe, Margaret Thatcher prej kohës kur nisi xhirimet ka qenë një ndër filmat më të përfolur për mënyrën se si do e përcillte historinë.
“Në një farë mënyre është një vështrim subjektiv mbi një jetë të madhe, me shumë ngjarje e vendime thelbësore. Por duke qenë një jetë e madhe, të kthehesh pas për ta sjellë atë në ekran është edhe një sfidë”, ka thënë Streep nga tapeti i kuq i filmit.
Dy herë fituesja e çmimit OSCAR ka mundur ta portretizojë këtë protagoniste të madhe të historisë duke e studiuar mirë jetën prej lidereje të Thatcher-it e cila është zhvilluar përgjatë 4 dekadave.
Filmi “The Iron Lady” shënon edhe herën e dytë të bashkëpunimit mes Phyllida Lloyd dhe aktores Streep, pas bashkëpunimit në filmin “Mamma Mia” në vitin 2008 dhe për Lloyd ky takim profesional me aktoren britanike ka qenë një dhuratë e jashtëzakonshme për karrierën.
“Të punosh me të është e jashtëzakonshme, por në fillim nuk mendova se do të mund të punoja sërish me të. Ky bashkëpunim për mua ka qenë një udhëtim i gjatë prej të cilit kam mësuar shumë nga përvoja e Streep”, ka theksuar Lloyd.
Protagonistë të tjerë në këtë film janë aktorët e tij britanikë Harry Lloyd dhe Alexandra Roach për të cilët protagonizmi përkrah Streep është diçka e jashtëzakonshme në karrierën e tyre.
Filmi “The Iron Lady” do të nisë shfaqjen në kinematë e Nju Jorkut dhe Los Angeles prej 30 dhjetorit.
Top Channel