Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka rikonfirmuar në mbledhjen e sotme të qeverisë së tij, se Këshilli i Ministrave të BE ka marrë vendime të rëndësishme për Kosovën.
Thaci ka deklaruar se BE ka nxjerrë konkluzione për të hapur dialogun për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale me Kosovën dhe anëtarësimin e saj në BERZH.
“Vendimi për hapjen e dialogut është marrë nga Këshilli i Ministrave të BE gjatë vizitës sime në Bruksel”, ka deklaruar Thaci para anëtarëve të ekzekutivit.
Ashtu si dhe më parë, ai ka shprehur bindjen e tij se kriteret e parashtruara nga lidershipi evropian për heqjen e vizave do të implementohen në një kohë rekord.
“Viti i ardhshëm do të vazhdojë të mbetet viti i axhendës evropiane dhe zhvillimit ekonomik”, ka shtuar më tej kryeministri i Kosovës, në mbledhjen e parë që pas kthimit nga Brukseli.
Por pavarësisht optimizmit të Thacit, zëdhënësi i komisioneres për Cështjet e Brendshme të BE, Michele Cercone deklaroi dy ditë më parë se nuk ka ende një datë për fillimin e dialogut.
Cercone tregoi se Komisioni është ende në proçesin e përpilimit të vlerësimit, bazuar në raportet e fundit të ekspertëve të vendeve anëtare, të cilët vizituan në fillim të dhjetorit Prishtinën.
Gjithashtu, edhe në radhët e partive politike kosovare, kryesisht tek ato në opozitë, nuk ka një optimizëm të dukshëm përsa i përket procesit që mund të nxjerrë Kosovën nga izolimi rajonal.
Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, në takimin me kryeministrin Thaci në Bruksel, i bëri atij të qartë se më parë duhen plotësuar kushtet dhe pastaj të bëhet liberalizimi i vizave.
Top Channel