Prishtina zyrtare është e bindur që veriu i Kosovës nuk është zonë e cila ka nevojë për ndihma humanitare. Të martën një autokolonë me ndihma ruse të dedikuara për serbët e veriut nuk u lejua të kalonte kufirin në pikën 1.

Arsyeja e bllokimit të ndihmave ruse thuhet të jetë mosrespektimi i rregullave dhe ligjeve kufitare. Zv/kryeministri kosovar Hajredin Kuçi tha se ndihmat do të kalojnë kufirin atëherë kur drejtuesit e tyre do të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm ashtu siç është evlefshme edhe për të gjitha rastet e tyre të ngjashme.

“Ne mendojmë që në Kosovë nuk ka krizë humanitare, megjithatë ndihmat janë të mirëseardhura. Por ato duhet të kalojnë sipas procedurave. Të gjithë duhet t’u nënshtrohen rregullave tona, cdo shkarje nga to do të ketë pasoja”, ka deklaruar Kuci.

Zoti Kuci thotë se lidhur me këtë cështje është në konsultim të vazhdueshëm me autoritetet e EULEX-it dhe KFOR-it. Ndërkohë ai rithekson se, autokolona e ndihmave është udhëhequr nga ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Konuzin.

Ky veprim në sytë e Prishtinës zyrtare nuk i shërben normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, përkundrazi ka efekt të kundërt. Mes të tjerash, Kuci tha se mocioni për reciprocitetin po zbatohet në cdo pikë të tij.

“Mocioni është zbatuar në Kuvendin e Kosovës, sepse s’ka kuptim që qeveria të jetë kundër me Kuvendin”, nënvizoi Kuci.

I ashtuquajturi kryeshef i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkovic ka vlerësuar të mërkurën se EULEX-i ka dalë nga mandati i tij. Sipas tij, EULEX-i është duke udhëhequr veprime sipas dëshirës dhe pa ndonjë bazë, si dhe është duke zbatuar vendime të njëanshme të Prishtinës.

“EULEX-i dëshiron të shfrytëzojë rastin me ndihmat ruse për të dëshmuar se vija administrative është kufi”, ka thënë Nedelkovic.

Lidhur me zhvillimet në veri në mbledhjen e qeverisë foli edhe kryeministri Hashim Thaçi, ku tha se, duhet respektuar rregullat kufitare.

Më tej kryeministri Thaci u fokusua në vendimin për hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave e që sipas tij janë vetëm çështje teknike në pyetje se kur dhe ku do të takohen ekipet për ta nisur këtë dialog. E që sipas zyrtarëve të qeverisë, ky dialog pritet të nisë brenda dy muajve të parë të vitit 2012.

Top Channel