Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka akuzuar Greqinë se nuk është e interesuar për të zgjidhur kontestin dypalësh të emrit kushtetues.

Reagimi i Gruevskit ka ardhur pas refuzimit të politikanit grek Andonis Samaras për një takim me të gjatë samitit të Partive Popullore Evropiane që u zhvillua pak ditë më parë në Bruksel.

“Ftesa drejtuar zotit Samaras nga ana ime për takim ishte një dëshirë për të vazhduar dialogun dhe për të vendosur kontakte të reja për zgjidhjen e problemit me të cilin po ballafaqohen dy vendet prej 20 vjetësh”, ka pohuar Gruevski.

“Më vjen keq që Samaras e refuzoi një mundësi të tillë. Kjo tregon interesin e palës tjetër që ka në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi”, ka vazhduar ai.

Kreu i qeverisë maqedonase i ka bërë thirrje homologut grek Lukas Papadhimos që të gjejë mënyra dhe kohë për të tejkaluar këtë cështje që ka bllokuar Maqedoninë, por që i shkakton dëme edhe Greqisë.

“Sot duhet të ketë zgjidhje dhe jo të anashkalohen takimet. Arroganca e treguar me refuzimin e takimeve nuk ndikon mirë në marrëdhëniet dypalëshe”, ka nënvizuar Gruevski.

Kryeministri ka shtuar më tej se prej më shumë se gjashtë muajsh mes dy vendeve nuk ka komunikime serioze dhe kjo situatë sipas tij vjen si pasojë e shpërqendrimit të Athinës.

Më 5 dhjetor Gjyka Ndërkombëtare e Drejtësisë pranoi padinë e Shkupit duke penalizuar Greqinë për shkeljen e Marrëveshjes së Përkohshme të nënshkruar në vitin 1995.

Një ditë më pas, negociatori i OKB Metju Nimic u bëri thirrje palëve që vendimin e gjykatës së Hagës ta shihnin si një mundësi për nxitjen e iniciativave të reja për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Një apel analog bëri edhe Departamenti amerikan i Shtetit përmes zëdhënësit të tij Mark Toner, i cili bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara e mirëpritën vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Por pavarësisht apeleve, qeveria greke, e fokusuar tek kriza e borxhit, nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur vendimit të Hagës dhe zgjidhjes së cështjes së emrit.

Top Channel