Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka deklaruar se propozimi për një
status special për veriun nuk është i pranueshëm për Prishtinën zyrtare.

Në takimin e zhvilluar të hënën me gazetarët serbë, Thaci theksoi se për zonën problematike të Kosovës zgjidhja mbetet zbatimi i pakos së Ahtisarit.

“Nuk do të ketë as autonomi e as status special, por afirmim dhe respektim të të drejtave të qytetarëve të veriut të Kosovës, të cilët do të zgjedhin vetë liderët e tyre”, tha Thaci.

Sipas raportimeve të mediave serbe, kreu i qeverisë kosovare hodhi poshtë kështu propozimin e bërë nga ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt, për një proces bisedimesh për veriun.

Madje, sipas burimeve, Thaci u tha gazetarëve serbë se edhe rezoluta 1244 njeh integritetin territorial të Kosovës në përputhje me standartet evropiane, arsye për të cilën ai e mbështet atë.

Megjithatë, kryeministri refuzoi të saktësonte nëse është e pranueshme formula që rezoluta në fjalë përdor për identifikimin e Kosovës në forumet rajonale.

“Për ne është i pranueshëm cdo formulim që ruan sovranitetin e Kosovës”, nënvizoi Thaci para reporterëve të ardhur nga Beogradi.

Ai theksoi më tej se dialogu me palën serbe do të vazhdojë dhe shtoi se marrëveshja e fundit për menaxhimin e integruar të kufijve është mjaft pozitive.

Edhe mw herwt gjatw muajit kryeministri kosovar deklaroi se shteti i Kosovës i ka shumë të qarta vijat e kuqe përsa i përket dialogut për cështjet teknike me Serbinë.

Madje, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi ai tha se pala kosovare nuk do të lëshojë pe sa i përket cështjes se menaxhimit të integruar të kufijve.

Top Channel