Partitë politike në Kosovë, e që janë të përfaqësuara në Kuvend, as sesi të dalin me propozime të përbashkëta për ndryshimin e ligjit për zgjedhje.

Gjatë së hënës Grupi për Reformë Zgjedhore u mblodh, për të nxjerrë rekomandime për 3 çështje, por dallimet në propozimin e shifrave ishin të theksuara.

Përderisa Lëvizja Vetëvendosje propozoi që Kosova të mbetet 1 zonë e vetme zgjedhore, sipas së cilës për të njëjtin kandidat mund të votosh nga çdo qendër votimi në Kosovë, në partinë tjetër opozitare, në Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thanë se Kosova duhet të ndahet në 100 të tilla.
 
Në këtë çështje, as Partia Demokratike e Kosovës dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës nuk u pajtuan. E para u deklarua për 6 “zona zgjedhore”, ndërsa në LDK thanë të ketë më shumë se kaq.

Por, në një çështje tjetër, atë nëse në zgjedhjet e ardhshme listat e kandidatëve për deputetë të mbahen të “hapura”, apo të “mbyllen”, dy subjektet politike, PDK dhe Vetëvendosje, u bënë bashkë, duke u deklaruar që ato të mbahen të hapura, që do të thotë: votuesi të dijë se për cilin kandidat po voton. Kurse, LDK e AAK nuk patën fare qëndrim.

Dallueshmëria në numra, dhe jo vetëm, u pa edhe në çështjen e tretë, atë për “pragun zgjedhor”. Nga 2 përqind, deri në 5 sa është aktualisht ishin numrat që përmenden zyrtarët e subjekteve politike. Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet ishte vendosur në marrëveshjen ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Behgjet Pacollit, përmes së cilës i është dhënë fund krizës presidenciale.

Komisioni për Reformë Zgjedhore ka afat që deri në fillim të prillit të bëjë gati propozimet për ndryshimin e Ligjit mbi Zgjedhjet, dhe sipas marrëveshjes politike ndërmjet Thaçit, Mustafës e Pacollit, zgjedhjet e përgjithshme duhet të mbahen në vjeshtën e 2013-ës.

Top Channel