Liderët e dy partive më të mëdha opozitare shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaci i PDSH-së dhe Rufi Osmani i RDK-së, kanë zhvilluar një takim në Tetovë, me qëllim të bashkëveprimit opozitar.
Thacin dhe Osmanin i shqetësojnë problemet e njejta, pozita e rëndë e shqiptarëve të Maqedonise dhe bllokimi i proceseve euro-atlantike të vendit. Ata paralajmëruan harmonizimin qëndrimeve për realizimin e objektivave të shqiptarëve.
“Është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Ky bashkëpunim duhet të vlerësohet pozitivisht edhe nga kundërshtarët politikë, nuk bëhet kundër askujt. Janë dy cështje kryesore që na dërguan drejt këtij bashkëpunimi. Gjendja e shqiptarëve dita-ditës keqësohet në Maqedoni dhe procesi integrues është i bllokuar”, tha në përfundim të takimit, kreu i PDSH-së, Menduh Thaci.
“Ndajmë shqetësimet e përbashkëta, se shumëcka në Maqedoni nuk shkon në drejtimin e duhur. Ramë dakord që vizitën e radhës kryetari Thaci ta bëjë në selinë e RDK-së dhe të promovojmë ekspertët që do të harmonizojnë qëndrimet dhe do të bëjnë një plan dinamik në funksion të realizimit të objektivave të përbashkëta që janë në dobi të shqiptarëve”, deklaroi nga ana tjetër lideri i RDK-së, Rufi Osmani.
Ideja për bashkëpunimin e opozitës shqiptare erdhi nga kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi. Takimi midis Thaçit dhe Osmanit është i pari pas 14 viteve, kur të dy ishin nënkryetarë të PDSH-së. Raportet mes tyre u acaruan pas ngjarjeve të Gostivarit në vitit 1997, kur Osmani u burgos për çështjen e përdorimit të flamurit kombëtar si kryetar i komunës së Gostivarit.
Top Channel