Janë 14 përqind e të dënuarve që kanë përfituar mbikëqyrjen nga sherbimi i provës janë të mitur, të cilëve gjykatat u kanë pezulluar dënimin me burgim dhe ka vendosur për kryerjen e një pune në interes publik.
Gjatë konferencës kombëtare të shërbimit të provës u publikua fakti se shumica e këtyre të miturve nën dënimin alternativ janë nga rrethi i Tiranës, me 306 kërkesa të depozituara në gjykatë nga prokuroria.
Këta të mitur, sipas të dhënave të raportuara zyrtarisht në konferencë, janë kryesisht të gjinisë mashkull dhe veprat e zakonshme që kryejnë direkt apo indirekt janë vjedhjet, vjedhjet në bashkëpunim, armëmbajtje pa lejë, plagosje dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
“I kemi kushtuar vëmendje trajtimit të të miturve. I jemi përmbajtur dokumentave ndërkombëtare, për të drejtat që gëzojnë ata. Gjatë 2,5 viteve numri total nën mbikëqyrjen e shërbimit të provës është 635 të mitur ose 14 perqind të gjithë atyre që janë nën mbikëqyrjen tonë”, tha drejtori i përgjithshëm i shërbimit të provës, Arben Sefgjini.
Kreu i prezencës së OSBE, Eugen Volfarth pohoi se përdorimi i dënimit alternativ ka reduktuar mbipopullimin në burgje.
“Megjithatë duhet të pranojmë se mbetet ende shumë punë për të bërë për zhvillimin uniform të këtij shërbimi. Ndërtimi dhe funksionimi i këtij institucioni është një proces i gjatë që kërkon staf të trajnuar dhe programe shtesë edukative. Ekspertiza e punonjësve të shërbimit të provës do të inkurajojë gjykatat të përdorin alternativat e burgimit. Për shkak se ekzekutimi i alternativave të burgimit kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve të drejtësisë duhet të fokusohemi në një bashkëpunim më të ngushtë mes shërbimit të provës, zyrave të prokurorisë, gjykatave dhe pushtetit vendor”, tha Eugen Volfarth
“Konsolidimi i shërbimit do të shoqërohet me hapjen e zyrave të reja dhe një projekt unik që do ta bëjë Shqipërinë lider në rajon për zbatimin e vendimeve penale”, tha Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.
Në të gjithë vendin ku shërbimi i provës ushtron aktivitetin në tetë zyra përkatësisht në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Korcë, Fier dhe Gjirokastër në total për 2 vjet e gjysëm kanë fituar dënimin alternativ nga gjykata 4511 persona.
Top Channel