Teksa Kuvendi i Kosovës kritikohet për punën e bërë nga monitoruesit e institutit demokratik, në veçanti për nxjerrjen e projektligjeve të pazbatueshme, kreu i Kuvendit thotë se ligjet që dalin nga ky institucion, janë ligje me standarde europiane.

I pyetur rreth miratimit të ligjit për “statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare dhe të familjeve të tyre, ai thotë se ligji është më i miri i mundshëm.

“Ligjet që janë miratuar në Kuvend, miratohen brenda kostove dhe mundësive të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ne jemi të vetëdijshëm, që jo vetëm ky ligj, por edhe ligje të tjera, nuk plotësojnë të gjitha kërkesat dhe interesat e të gjithë qytetarëve, por jemi përpjekur të miratojmë ligje që ndihmojnë funksionimin e shoqërisë dhe institucioneve në Kosovë dhe jemi të interesuar që në të ardhmen të miratojmë ligje që nxisin rritjen e mirëqënies së qytetarëve, gjithnjë sipas mundësive që kemi”, deklaroi zoti Krasniqi.

Ligji për veteranët është kundërshtuar fort nga organizatat e dala nga lufta. Ky ligj i cili pret firmën e presidents, pavarësisht se figuron fjala“veteranë”, siç shpjegojnë anëtarët e Komisionit Kuvendor të cilët janë marrë me të, në ligj veteranët nuk do të kenë përfitime, kjo pasi Fondi Monentar Ndërkombëtar ka bërë vërejtje për koston e lartë.

Në këtë konferencë  z. Krasniqi tha se marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe ende nuk i janë dorëzuar Kuvendit të Kosovës.

“Kemi konkluzionet e marrëveshjeve, por jo protokollin teknik të tyre”, deklaroi Krasniqi.

Ndërkohë, u bë e ditur se me 20 dhjetor në kuvend do të shyrtohet projektbuxheti për vitin 2012. Në këtë seance, e cila mund të jetë e fundit për këtë vit do të shqyrtohen në parim edhe gjashtë projektligje.

Top Channel