Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë qytetarë, 8 serbë dhe dy shqiptarë, të cilët dyshohen për bashkëpunim në veprimtari kriminale të organizuar.
Sipas policisë, gjatë operacionit janë kontrolluar shtëpi dhe mjete transporti në disa vende, si Prishtinë, Graçanicë dhe Lipjan, ku janë konfiskuar sende të ndryshme në cilësinë e provës materiale.
Sipas policisë, të arrestuarit për një kohë të gjatë kanë vepruar si grup i organizuar, që ka realizuar grabitje automjetesh në rajone të ndryshme të Kosovës, për t’i dërguar më pas në Mitrovicën Veriore.
Pas vjedhjes, veturat iu ofroheshin përsëri pronarëve, me kusht që të paguhej një shumë parash. Mes të tjerash, antarët e grupit kriminal kryenin falsifikimin e dokumentave të automjeteve, të cilat shiteshin në rast të mungesës së përgjigjes nga pronarët.
Gjithashtu, dyshohet se banda ishte e përfshirë edhe në aktivitete të tjera kriminale, si të trafiku i substancave narkotike, armëve dhe municioneve të ndryshme.
Top Channel