Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton dhe komisioneri
për Zgjerimin, Shtefan Fyle i bënë thirrje Serbisë që të ndërmarrë hapat
përfundimtare, për të fituar statusin e kandidatit në shkurt të vitit
të ardhshëm.

Përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, dy zyrtarët e lartë të BE-së kanë inkurajuar Serbinë për vazhdimin e dialogut dypalësh me Kosovën, të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Ata kanë vlerësuar arritjen e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve, duke bërë thirrje për zbatimin sa më shpejt të saj dhe të pakteve të tjera të arritura më parë.

“Marrëveshja e fundit e arritur para  një jave dhe sinjalet pozitive për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme tregojnë se në mënyrë të vendosur palët po lëvizin në drejtimin e duhur”, thuhet në deklaratë.

Javën e kaluar BE refuzoi dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë, për shkak të qëndrimit destruktiv ndaj situatës në veri të Kosovës, ku strukturat paralele vazhdojnë të mbajnë barrikadat.

Opozita radikale serbe dogji flamurin e Bashkimit Europian në një protestë të organizuar kundër integrimit, duke thënë se Serbia nuk ka nevojë për BE-në.

Ndërsa zv.kryeministri Bozhidar Gjelic, përgjegjës për cështjet e integrimit, dha menjëherë dorëheqjen, me argumentin se vendimi i Brukselit nuk ishte ai që Beogradi priste.

Ditën e hënë, vetë raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën paraqet një parakusht të domosdoshëm për përparim më të shpejtë të Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA