Aga: “Big Brother” i jep zë fenomeneve të shoqërisë

13/12/2011 19:30

Top Channel ishte televizioni i parë që vendosi të hedhë hapin e blerjes së një patente. Pikërisht në vitin 2006 bleu të drejtat e transmetimit të “Big Brother”.

Rezart Aga është autor i disa prej emisioneve me te suksesshme ne Top Channel, mes të cilave  “Big Brother”, “Albania’s got Talent” e së fundmi edhe “The Voice of Albania”.

“Top Channel është shumë avangard sepse nuk është e lehtë të blesh një patentë si Big Brother. Ishte një program që sapo kishte dalë, ishte i njohur vetëm në Amerikë dhe shumë pak vende të tjera europiane e panë me të ardhme këtë produksion”, theksoi Aga në emisionin “Pasdite në Top Channel”.

“Vetëm blerja e formatit nuk të siguron suksesin. Ne jemi munduar edhe ta përshtasim me mentalitetin shqiptar. Programi të jep strukturën, por duhet përqasur mentaliteti dhe botëkuptimi i shoqërisë ku jeton”, shtoi Aga.

Përsa i përket krijimtarisë që të lejojnë emisione të tilla me një format të caktuar, Aga shpjegoi se “Big Brother është kreativitet absolut. Ndryshon Big Brother-i shqiptar nga ai në Britani, Itali apo vendet e tjera të Ballkanit. Nuk mund thjesht të blesh suksesin”.

Në lidhje me kritikat që ka marrë Big Brother për sjelljen tek publiku të fenomeneve tabu, Aga tha: “Big Brother akuzohet se gjen personazhe që kanë probleme familjare dhe kjo nuk është e vërtetë. Ne marrim personazhe që e kanë të qartë formatin. Nëse ekziston një fenomen si homoseksualiteti, çështja është të flasim për të apo jo. Ne kemi zgjedhur të flasim. Ne i japim zë atij fenomeni që ekziston dhe nuk krijojmë modele për shoqërinë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA