Projektligji për mediat i propozuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk është mirëpritur nga Shoqata e Gazetarëve në Maqedoni.

Projektligji në fjalë rrezikon të përkeqësojë edhe më tepër raportet mes pushtetit dhe gazetarëve pasi këta të fundit vërejnë se ligji përmban shumë dispozita me të cilat i mundësohet qeverisë të rrisë ndikimin mbi mediat dhe politikën e tyre redaktuese.

Drejtuesit e Shoqatës së Gazetarëvë janë kërcënuar se do të braktisin negociatat me qeverinë që kanë të bëjnë me përmisimin e gjendjes së mediave, nëse qeveria mundohet të sjellë ligje pa u konsultuar me gazetarët.

“Në qoftë se qeveria insiston që të rregullojë me ligj mediat, kjo duhet të bëhet në konsultim me përfaqësuesit e gazetarëve, në grupin punes që e kemi formuar. Qeveria mund ta kalojë ligjin ashtu siç e ka përgatitur, por ne nuk pranojmë të negociojmë edhe më tutje nëse pushteti vlerëson se nuk duhet të na konsultojë për ligjet kyçe që kanë të bëjnë me mediat dhe gazetarët”, theksoi Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni.

Shoqata kundërshton edhe ndryshimet e paralajmëruara në ligjin për radiodifuzionin, ku parashihet që televizionit shtetëror t’i mundësohet të reklamamojë njësoj sikurse mediave private. Drejtuesit e mediave komerciale të cilët kundërshtojnë këtë propozim të qeverisë, thonë se me një vendimin të këtillë televizioni shtetëror vihet në pozitë më të privilegjuar pasi përveç mjeteve nga taksat e radiodizufionit dhe buxhetit, do të marrë edhe një pjesë të reklamave që janë burimi i vetëm i televizoneve komerciale.

Top Channel