Kryetari i liberaldemokratëve, Cedomir Jovanoviç, ka thënë se Serbia nuk guxon të sillet si e përgjegjshme.

Ai ka kërkuar një plan të qartë të veprimit lidhur me Kosovën dhe veriun, por edhe integrimet evropiane. Jovanoviç ka thënë se nuk duhet të ketë më rastësi dhe se është koha për marrëveshje me opozitën për zgjedhjet, por edhe për ato që duhet bërë për të arritur statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, dy partitë kryesore kanë veprime shumë të papërgjegjshme. Liberaldemokratët, ka thënë ai, kanë ftuar presidentin Boris Tadiç për një marrëveshje dhe përgjigjen e kanë marrë para se ta dërgojnë ftesën dhe kjo është një humbje për vendin.

“Serbia nuk mund të mbrojë identitetin e saj duke shkatërruar të ardhmen. Rezoluta 1244 nuk është zgjidhje”, ka thënë ai.

Politika serbe tani është duke kërkuar fajtorin për shtyrjen e vendimit për statusin e kandidatit, por pyetjet dhe përgjigjet janë mbyllur shpejt.

Top Channel