Ish-kancelari gjerman Helmut Kohl ka vlerësuar përpjekjet e popullit të Kosovës për shtetin e tyre të ri. Ai këtë vlerësim e ka bërë gjatë një takimi pritës me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita.

Sipas agjencisë së lajmeve “INA”, diplomati kosovar zhvilloi një vizitë private në shtëpinë e ish-kancelarit të mirënjohur gjerman, në qytetin Ludvigshafen.

Gjatë takimit, Kohl ka trajtuar posacërisht cështjen e Kosovës, duke dhënë vlerësimet dhe sugjerimet e tij mbi rrugën që duhet të ndjekë vendi.

Sic bëhet e ditur, Kohl ka vlerësuar lartë përpjekjet e popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe për të ndërtuar një shtet demokratik.

Gjithashtu, ish-kancelari ka përshëndetur politikat që po ndërmerr vendi në përmbushjen e detyrimeve për të qenë pjesë e familjes evropiane.

Nga ana tjetër, zoti Kohl ka bërë një sërë kritikash ndaj politikave të zgjerimit të BE, duke nënvizuar se vendet e Ballkanit perëndimor duhej të ishin prej kohësh pjesë e familjes evropiane.

Më tej, shtojnë burimet mediatike, Kohl ka paralajmëruar se së shpejti, me gjithë dëshirë, mund të vizitojë Kosovën. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe deputeti i CDU-së në Bundestag, Philip Missfelder.

Nga ana e tij, ambasadori Mirdita ka vlerësuar gjurmët e lëna në historinë moderne të kombit gjerman nga ish-kancelari Kohl, duke e vënë theksin tek bashkimi i dy Gjermanive.

Top Channel