Gjykata e Frankfurtit në Gjermani njoftoi sot se vendimi ndaj të riut kosovar Arid Uka, që në mars të këtij viti vrau dy ushtarë amerikanë, do të jepet muajin e ardhshëm.

Në seancat e mëparshme gjyqësore Uka, një ekstremist islamik, ka pranuar vrasjen e dy marinsave në aeroportin e Frankfurtit.

Gjykata deklaroi se vendimi është planifikuar të shpallet më 19 janar dhe 21-vjecari nga Kosova mund të dënohet me burgim të përjetshëm për vrasje dhe tentativë vrasjeje, raporton “REL”.

Autoritetet gjermane deklarojnë se Uka ishte kthyer në një ekstremist duke parë dhe lexuar materiale islamike në libra dhe në internet.

Në dëshminë e tij, ai ka thënë se me aktin e tij ishte përpjekur të ndalonte rrugëtimin e ushtarëve amerikanë për në Afganistan.

Ndërsa një marins që dëshmoi pak kohë më parë në proces deklaroi se në momentin e të shtënave kishte vënë re urrejtje në sytë e 21-vjecarit.

Vendimi do të merret vitin e ardhshëm, pasi sipas ligjeve të Republikës Federale Gjermane, në proces duhet të paraqiten të gjitha provat, pavarësisht se autori e ka pranuar krimin.

Veprimi i Arid Ukës indonjoi vetë popullin kosovar, i cili i shprehu ngushëllimet e tij popullit amerikan dhe ndezi qirinj pranë selisë së ambasadës amerikane në Prishtinë.

Top Channel