Bisedimet dypalëshe Kosovë-Serbi do të rifillojnë sipas të gjitha gjasave në vitin 2012, raportojnë mediat serbe.

Sipas burimeve, nga ecuria e bisedimeve, zbatimi i marrëveshjeve të arritura në to dhe marrëdhëniet me Kosovën do të varet afrimi i Serbisë me Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, shefja e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri i ka përsëritur apelin Beogradit që të nisë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe të shpërbëjë strukturat paralele në veri.

“Është shumë e rëndësishme që vendet e rajonit të udhëhiqen nga parimet euro-atlantike, si rruga e vetme drejt paqes së qëndrueshme”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas “RTK”, komentet e saj zëvendëskryeministrja kosovare i ka bërë gjatë takimit strategjik të lobit rajonal të grave, që po mbahet këto ditë në Stamboll.

Në raundin e fundit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Brukseli, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ushtruan presion duke mbajtur delegacionet për 3 ditë rresht deri në arritjen e marrëveshjes.

Pas nënshkrimit të saj, Serbia priste marrjen e statusit të kandidatit për në BE, por mbajtja e mëtejshme e barrikadave në veri të Kosovës dhe sulmet ndaj KFOR-it bënë që Unioni të refuzonte dhënien e statusit.

Kosova nga ana e saj mori dritën jeshile për nisjen e dialogut me Komisionin Evropian për liberalizimin e regjimit të vizave me vendet e BE, sinjal ky që ishte dhënë që në raport-progresin e tetorit.

Top Channel