Dragoljub Miçunoviç, një nga më të vjetrit në politikën serbe dhe kryetar i Këshillit Politik të Partisë Demokratike, ka thënë se problemi i Kosovës duhet të zgjidhet në një konferencë ndërkombëtare.

Miçunoviç ka deklaruar se situata mund të vazhdoj përgjithmonë nëse nuk arrihet një marrëveshje që zgjidh problemin në fund.

Sipas tij, edhe Bosnja do të vazhdonte përherë sikur të mos kishte qenë marrëveshja e Dejtonit.

“Kemi nevojë për një autoritet ndërkombëtar për zgjidhjen, për një afat të gjatë, pasi bisedimet zgjasin aq sa zgjasin qeveritë”, ka thënë ai.

Megjithatë, zgjidhja në qeveri nuk duket. Sipas Bozhidar Gjellic, kandidatura e Serbisë, që u refuzua më 9 dhjetor, nuk është e sigurt as në muajin mars.

Ai ka thënë se në samitin e BE-së qëndrimet kanë qenë të tjera në krahasim me kushtet e paraqitura në listën e Komisionit Evropian dhe se do të jetë e vështirë për të ndryshuar situatën.

Serbia, ka thënë ai, ka bërë progres të madh në shumë gjëra, por ka pasur mjaft ndryshime në momentin e fundit.

Gjelic, përgjegjës për cështjet e integrimit, dha dorëheqjen ditën e refuzimit, me argumentin se vendimi i Brukselit nuk ishte ai që Beogradi priste. 

Ndërsa opozita radikale serbe dogji flamurin e Bashkimit Europian në një protestë të organizuar kundër integrimit, duke thënë se Serbia nuk ka nevojë për BE-në. 

Top Channel