Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka përshëndetur sërish bashkërendimin politik mes dy partive të tjera shqiptare, PDSH dhe RDK.

Ahmeti ka hedhur poshtë zërat e bëra më herët nga këto dy subjekte, se përshëndetja e tij ishte hipokrite dhe cinike, duke nënvizuar se vlerëson cdo bashkim mes shqiptarëve.

“Unë, me dashamirësinë më të madhe kam përshëndetur të gjitha iniciativat që bëhen nga partitë opozitare, pavarësisht se kanë qenë kundër BDI-së. Për të gjitha bashkimet kam qenë i sinqertë, pasi nga bashkimet nuk ka asgjë të keqe. Por dikujt, t’i thuash “shëndet”, i duket sikur i thuhet “plac””, ka deklaruar Ahmeti.

“Unë nuk jam as cinik e as hipokrit, sepse jo vetëm unë, por  të gjithë bashkëluftëtarët e mi kemi pasur misionin e vetëm që shqiptarët të bëhen bashkë. Dhe këtë e dëshmuam në vitin 2002 me Këshillin Koordinues”, ka nënvizuar Ahmeti.

Kreu i BDI-së është shprehur se një gjë e tillë është dëshmuar edhe me qëndrimin korrekt dhe demokratik të partisë së tij ndaj subjekteve të tjera politike, duke shmangur fjalorin e fyerjeve.

“Nuk është pjesë e axhendës dhe programit tonë që të fusim në konflikt shqiptarët. Ne shqiptarët duam t’i bashkojmë dhe në bazë të këtij parimi unë përshëndeta nismën e partive opozitare”, ka pohuar Ahmeti.

“Sa më shumë të bashkohen ata, aq më të fortë jemi ne. Ne gjithmonë e kemi thënë hapur që të hiqen kufijtë në Ballkan dhe të hiqen kufijtë për shqiptarët, pasi kufijtë janë e keqja e njerëzimit”, ka shtuar ai.

Më herët gjatë muajit, PDSH dhe BDI replikuan ashpër me njëra-tjetrën lidhur me mundësinë e partisë së Menduh Thacit për të bërë aleancë me RDK-në.

Top Channel