Kur kanë mbetur më pak se tri javë, projekti i amnistisë fiskale rrezikon të dështojë, pasi nga të dhënat mësohet se vetëm rreth 30 për qind e vlerës është falur.
Siç informon të dielën e përditshmja “Shqip”, një ditë pas deklaratës së Ministrit të Financave, Ridvan Bode, se procesi “nuk dha efektet e duhura”, duke bërë me faj opozitën për konsensusin e munguar, biznesi gjykon se ekzistojnë ende mundësitë që amnistia të japë kontributin e dëshiruar në ekonomi.
Nga rreth 60 miliardë lekë detyrime dhe borxhe të papaguara nga biznesi në tatime dhe dogana, nuk janë falur më shumë se 20 miliardë lekë në rastin më optimal.
Për rezultatet e dobëta, palët biznes-qeveri kanë bërë me ‘faj’ njëra-tjetrën. Ministria thotë se biznesi nuk u tregua i shkathët dhe nuk i kuptoi si duhet avantazhet që sjell amnistia, kurse sipërmarrja private justifikohet me afatet e pamjaftueshme dhe mungesën e informacionit.
“Zbatimi i faljes përkoi me muajt e verës, kur dihet se një pjesë e mirë e administratës është me pushime dhe sikur të mos mjaftonte kjo, udhëzimet dhe aktet e tjera dolën me vonesë. Tjetër faktor ka të bëjë me mungesën e informacionit, publicitetit nga administratat fiskale përkatëse. Në muajt e mbetur të procesit, natyrisht që ka ndikuar edhe klima politike, etj.”, thotë për gazetën “Shqip”, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka.
Si tatimet ashtu dhe doganat pretendojnë se biznesit i është ofruar e gjithë infrastruktura e mundshme, në mënyrë që procesi të ishte sa më i lehtë, me komisione të posaçme dhe me zyra për dhënien e informacionit, kurse privati justifikohet me faktin se dokumentacioni i kërkuar nga administrata ishte tepër burokratik.
Megjithatë, ajo çfarë shihet mundësi reale për të fituar është koha dhe angazhimi i palëve për ta bërë procesin më transparent. “E kemi ndjekur situatën me kujdes, duke analizuar çdo situatë dhe të dhënat që na raportohen. Gjykoj se i kemi mundësitë për të ofruar kontributin në ekonomi, në rast se qeveria na jep një tjetër shans”, thotë Jaka.
Kreu i Dhomës së Qarkut të Tiranës i ka dërguar një letër Ministrit Bode, ku i propozon shtyrjen e afatit, me të paktën 6 muaj dhe rishikimin e nenit 22 të ligjit për faljen.
Sipas këtij neni, tatimorët kanë të drejtë të kontrollojnë dhe të penalizojnë çdo biznes, pas amnistisë në rast se e kapin me shkelje në deklarimin e kapitalit. “Ne kërkojmë garanci”, nënvizon Jaka.
Pikërisht ky nen e ka bërë biznesin më të tërhequr, pasi një rivlerësim nga tatimet pas amnistisë shikohet si hakmarrje për asetet e fshehura në vite. Kreu i Dhomës nuk është kundër nenit, duke respektuar angazhimet e tatimeve për kontrollet ndaj evazionit, por kërkon rishikimin, apo korrigjimin, mjafton që të mos preket amnistia fiskale.
Mësohet se komisionet e ngritura pranë drejtorive tatimore rajonale kanë dhënë faljen për rreth 45 mijë biznese, me një detyrim total prej afro 4 miliardë lekësh.
Të ndara për tri periudha, duket se borxhet e 2008-s janë fshirë të gjitha nga regjistri pasi nuk kushtëzoheshin me pagesën e detyrimeve, ndërsa viti 2009 dhe 2010, që sanksionohen me shlyerjen e taksave me 30 dhe 50 për qind, paraqiten më dobët. Më mirë ka ecur administrata doganore, e cila ka amnistuar rreth 12 miliardë lekë, nga të cilat kanë përfituar 1500 biznese.
Top Channel