Kryeministri kosovar Hashim Thaci, i kthyer në Prishtinë pas vizitës zyrtare në Bruksel, ka deklaruar se ka sjellë lajme të mira për Kosovën.

Thaci ka deklaruar se Kosova është vendi që ka përfituar më shumë nga samiti i djeshëm i Bashkimit Evropian, pas Kroacisë, që u bë anëtarja e re e unionit.

“Krerët e shteteve të BE-së miratuan rekomandimet e ministrave të Jashtëm për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave, vendosjen e raporteve tregtare dhe anëtarësimin e vendit në BERZH”, ka pohuar Thaci.

Ai ka theksuar se kjo është hera e parë që në BE merren vendime konkrete për Kosovën, edhe pse skeptikët, sipas tij, nuk duan ta pranojnë këtë.

Kryeministri kosovar ka shtuar më tej se në mandatin e tretë, Kosova do të afrohet edhe më shumë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Thaci u takua me presidentin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, i cili kërkoi përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.

Gjithashtu, nuk munguan takimet me eurodeputeten Ulrike Lunacek, e cila vlerësoi vullnetin e treguar nga pala kosovare për përmbushjen e detyrimeve evropiane, si dhe me shefen e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton.

Një takim të vecantë Thaci zhvilloi edhe me sekretaren amerikane të Shtetit Hillary Clinton, e cila rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe perspektivat e saj.

Top Channel