Prokurorët në Kroaci kanë ngritur akuza të reja ndaj ish-kryeministrit Ivo Sanader dhe anëtarëve të partisë së tij konservatore.

Sipas raportimeve të “REL”, Sanader dhe anëtarët e Partisë së Bashkimit Demokratik akuzohen se kanë vjedhur paratë e shtetit për t’i përdorur më pas për interesa personale.

Sipas prokurorëve, deputetët dyshohen se kanë përvetësuar rreth 5.5 milionë dollarë, nga të cilët 3 milionë kanë përfunduar në duart e ish-kryeministrit.

Ndërkohë, Sanader do të dalë së shpejti para trupit gjykues për akuzën tjetër, atë të mitmarrjes nga një kompani hungareze dhe një austriake, akuzë të cilën ai e mohon.

Për t’i shpëtuar gjykimit të kësaj cështjeje, ai u arratis në fillim të vitit nga Kroacia, por u arrestua pak kohë më vonë në Austri, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar.

Partia e ish-kryeministrit Ivo Sanader, Bashkimi Demokratik, humbi në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në Kroaci fundjavën e kaluar.

Menjëherë pas numërimit të 70 për qind të votave, rezultatet konfirmuan fitoren e së majtës, që siguroi 78 vende në Parlamentin me 151 anëtarë gjithësej.

Zgjedhjet në Kroaci u zhvilluan para kohe, për shkak të akuzave të shumta që u bënë në adresë të qeverisë, për përfshirje në afera të mëdha korruptive.

Ndërkohë, ditën e premte, vendi ballkanas u bë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian, duke e cuar në katër numrin e vendeve të rajonit të integruar në Union, pas Sllovenisë, Rumanisë dhe Bullgarisë.

Top Channel