Kuvendi i Kosovës ka mbushur të shtunën një dekadë funksionimi, gjashtë
vjet nën administrimin e OKB-së dhe katër si organi më i lartë ligjvënës
i Republikës së Kosovës.Me një seancë solemne u shënua dita e
themelimit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, pasi përkujtoi se në Kuvendin e Kosovës më 17 shkurt 2008 u shpall pavarësia dhe u nxorën të gjitha simbolet shtetërore të vendit, me shifra e fakte foli për të arriturat demokratike të organit më të lartë ligjvënës në nxjerrjen e ligjeve.

424 ligje, 14 rezoluta e po aq deklarata, qindra vendime, qëndrime e rekomandime të miratuara, janë sipas Krasniqit të harmonizuara me legjislacionin evropian, kujton Telegraf.

Duke folur për synimin e integrimit evropian të Kosovës, kreu i Kuvendit, përmendi krijimin e komisionit për integrime evropiane dhe tha se në kuadër të përpjekjeve për këtë fushë, Kuvendi analizon edhe Raportet vjetore të Komisionit Evropian.

Kuvendin e themeloi më 10 dhjetor 2001 ish-kryeadministratori i UNMIK-ut Hans Haeckerup, shkruan Kosovatimes. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve Kuvendi ndërroi katër përbërje, miratoi 435 ligje dhe bëri historinë më të re të vendit tonë, duke u shpallur brenda tij pavarësia e Kosovës, ku edhe u miratuan simbolet e reja të shtetit.

Kuvendi ka patur kryetarë Nexhat Dacin, Kolë Berishën e vazhdon ta ketë për herë të dytë në krye të tij Jakup Krasniqin.

Pavarësisht që organizatat joqeveritare shpesh kritikojnë deputetët dhe vetë Kuvendin për mungesë pune e rezultatesh, edhe pse nganjëherë e quajnë si vegël të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës me të gjitha dritë-hijet e tij ka lënë e vazhdon të lërë gjurmë në jetën e vendit tonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA