Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka mirëpritur vendimet e Bashkimit Evropian për pranimin e anëtarësimit të Kroacisë dhe për refuzimin e statusit të kandidatit Serbisë.

“Unë lavdëroj miqtë e mi në Bashkimin Evropian për vendimin e mencur për të ftuar Kroacinë si anëtari i 28 dhe për frenimin e kandidaturës së Serbisë, për shkak të rolit të saj ndaj Kosovës”, ka deklaruar Engel.

Sipas “REL”, kongresmeni është shprehur se, sa më shpejt që Serbia të pranojë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, aq më mirë do të jetë për të dhe Kosovën.

“Serbia nuk duhet të lejohet të hyjë në BE pa zgjidhur marrëdhëniet me Kosovën dhe nuk duhet lejuar që në të ardhmen ajo të bllokojë kandidaturën e Kosovës”, ka pohuar Engel.

Disa ditë më parë, kongresmeni foli për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, duke thënë se ato janë organizuar nga grupe kriminale serbe, të cilat synojnë ndarjen e shtetit të ri.

I cituar nga agjencia e lajmeve “INA”, Engel theksoi se Kosova do të mbetet 100 për qind e bashkuar dhe shtoi se territori i saj është i paprekshëm.

“KFOR-i duhet të marrë masa për largimin sa më parë të barrikadave të krijuara nga grupet kriminale. Kosova nuk mund të jetë 100 për qind e plotë pa pjesën veriore. Nuk ka Kosovë 90 për qind apo 10 për qind, Kosova është 100%”, deklaroi Engel.

Edhe muajin e kaluar Engel, i njohur ndryshe si avokati i pavarësisë së Kosovës, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të zgjidhë sa më shpejt situatën në veriun e shtetit të ri.

Top Channel