Pas nënshkrimit të traktatit për anëtarësimin e Kroacisë, samiti i rradhës europian shtyu për në mars vendimin për Serbinë. Ndërsa për Malin e Zi, qershori i vitit 2012 u përcaktua si datë për nisjen e negociatave, por deri atëherë vendi do të jetë nën vëzhgim të plotë në fushën e sundimit të ligjit.

“E inkurajojmë Serbinë të ndërtojë mbi atë dialog, dhe të përmirësojë, marrëdhëniet me Prishtinën, për hir të stabilitetit rajonal dhe të interesit të saj personal. Do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe angazhimin e Serbisë për objektivat e përbashkët, me synimin e qartë për t’i dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat, një vendim që pritet të merret nga këshilli i ministrave në shkurt dhe që pritet të konfirmohet nga samiti në fillim të marsit. Për sa i përket Malit të Zi, vendi mori statusin kandidat një vit më parë. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë progresin e vendit, veçanërisht në fushën e rendit ligjor. Ne synojnë çeljen e negociatave për anëtarësim në qershor të vitit 2012”, deklaroi Herman Van Rompuy, President i BE-së.

Për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën, samiti miratoi, pa debat, konkluzionet e Këshillit të Ministrave të ditës së hënë.

Top Channel