Serbët në veri të Kosovës kanë lëvizur në orët e fundit një barrikadë të re që kishin vendosur të enjten, për të mbajtur të bllokuar rrugën për në Bërnjak.

Lajmin e kanë bërë të ditur ushtarë francezë të KFOR-it të pranishëm në pikën kufitare, të cilëve u referohet agjencia italiane e lajmeve “ANSA”.

Prej së hënës janë lëvizur tre barrikada nga 15 që janë gjithësej, një prej të cilave në Jarinjë dhe një në fshatin Jagnjenicë, që më 28 nëntor u bë skenë e përleshjeve të dhunshme mes banorëve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it.

Dy rrugët kryesore të krahinës, Mitrovicë-Zubin Potok dhe Mitrovicë-Leposaviç vazhdojnë të jenë ende të bllokuara. Po ashtu edhe barrikada më e madhe e problematike, ajo mbi urën e lumit Ibër, vazhdon të jetë e palëvizur.

Misioni i NATO-s në Kosovë shprehu të enjten indinjimin e tij për kufizimin e lëvizjes në veri, nga barrikadat dhe banorët serbë që i kontrollojnë ato.

Përmes një deklarate për shtyp, KFOR vlerësoi heqjen e barrikadave në Zubin Potok e zona të tjera nga popullsia lokale, por cilësoi si “të papranueshme” vijimin e bllokimit në pjesët e tjera të veriut.

Misioni ndërkombëtar kërkoi që në lirinë e pakushtëzuar të lëvizjes të përfshihet edhe misioni EULEX, si dhe paralajmëroi se aktet e dhunës nuk do të tolerohen.

“Përdorimi i dhunës është i papranueshëm. Në vecanti, sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it janë të papranueshme”, thuhej në deklaratën për shtyp.

Top Channel