Ministrja Kosovare e Tregëtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, nuk do të respektojë mocionin e kërkuar nga opozita, për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.

Në fakt, ajo i bëri një interpretim tjetër mocionit, duke argumentuar se reciprociteti midis dy vendeve ekziston, pasi Kosova dhe Serbia, pas marrëveshjeve në Bruksel, shkëmbejnë mallra me njëri-tjetrin.

Ministrja Kusari-Lila i rekomandoi opozitës që të ndërtojë një tekst tjetër mocioni, nëse dëshiron nga qeveria që të bllokohet tregëtia me Serbinë. “Për të kërkuar bllokimin e marrëdhënieve tregëtare, opozita duhet ta paraqesë propozimin të shkruar në parlament dhe ta votojmë përsëri. Aktualisht, kemi një situatë që ka ndryshuar shumë, pasi edhe Serbia, ashtu edhe Bosnje-Hercegovina, kanë pranuar të njohin vulat doganore të Kosovës dhe ka qarkullim të mallrave midis shteteve. Nëse kërkohet që të mbyllet sërisht kufiri me Serbinë, atëherë kjo duhet që absolutisht të parashikohet në mocion dhe të paraqitet për votim në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Kusari-Lila.

Pika e parë e mocionit të prezantuar nga opozita, në fakt, kërkon vendosjen e reciprocitetit të plotë ekonomik dhe politik ndaj Serbisë. Edhe këtu, Ministrja e Tregëtisë dhe Industrisë heq përgjegjësinë nga vetja, duke theksuar se zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, ka përmendur datën 26 dhjetor për zbatimin e marrëveshjes së lëvizjes së lirë, ndërsa përmend Ministrinë e Brendshme si përgjegjëse për targat dhe elementët e tjera të shtetësisë, të cilat nuk pranohen nga Serbia.

Ministrja Kusari-Lila u shpreh e qetë edhe përballë mundësisë së kërkesës së dorëheqjes së saj prej opozitës, pasi është duke ndjekur me përpikmëri axhendën politike të Prishtinës zyrtare. “Është kërkesë e tyre dhe unë natyrisht i raportoj Kryeministrit dhe Kuvendit, por u them se ekzistojnë procedura të qarta për shkarkime ose dorëheqje. Në këtë rast, nuk e konsideroj se ka bazë për kërkesën e dorëheqjes. Në të kundërt, duhet vlerësuar përparimi është është bërë”.

Sidoqoftë, pika e dytë e mocionit të propozuar i kërkon Ministrisë së Tregëtisë dhe Industrisë që të gjejë në kohë zëvendësues për mallrat e siguruar aktualisht nga Serbia, pasi marrëdhëniet ekonomike me të të ndërpriten.

Top Channel