Misioni i NATO-s në Kosovë ka shprehur sërish të enjten indinjimin e tij për kufizimin e lëvizjes në veri, nga barrikadat dhe banorët serbë që i kontrollojnë ato.

Përmes një deklarate për shtyp, KFOR ka vlerësuar heqjen e barrikadave në Zubin Potok e zona të tjera nga popullsia lokale, por ka cilësuar si “të papranueshme” vijimin e bllokimit në pjesët e tjera të veriut.

Misioni ndërkombëtar ka kërkuar që në lirinë e pakushtëzuar të lëvizjes të përfshihet edhe misioni EULEX, si dhe ka paralajmëruar se aktet e dhunës nuk do të tolerohen.

“Përdorimi i dhunës është i papranueshëm. Në vecanti, sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it janë të papranueshme”, thuhet në deklaratën për shtyp.

KFOR është i vetmi mision ndërkombëtar që është përfshirë në bisedime me serbët e veriut të Kosovës për heqjen e barrikadave, të cilat u vendosën në korrik për të bllokuar shtrirjen e autoritetit të Prishtinës.

Paralajmërimi i KFOR vjen një ditë pas deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, se sulmet ndaj trupave ndërkombëtare nuk tolerohen.

Situata mes banorëve serbë dhe KFOR-it u tensionua në fund të muajit të kaluar, kur disa serbë në fshatin Jegenicë qëlluan me armë zjarri dhe plagosën disa ushtarë të KFOR-it.

Kjo bëri që misioni i NATO-s të reagonte duke njoftuar “mbushjen e armëve” dhe solli paralajmërimin e komandantit Erhard Drews se veprime të tilla nuk do të tolerohen më.

Top Channel