Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mbajti të enjten fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës.

Për presidenten e vendit e zgjedhur para tetë muajve me konsensus politik, rruga e vetme e Kosovës është perspektiva evropiane dhe në këtë rrugë, ajo ka thënë se duhet përkushtim dhe angazhim më të madh institucional, përderisa ka theksuar se pavarësia, subjektiviteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të paprekshme.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran e ka perspektivën e qartë evropiane. Ne nuk shohim rrugë tjetër. Ky përkushtim është dëshmuar në të gjitha proceset e tanishme, duke përfshirë edhe dialogun me Republikën e Serbisë që po zhvillohet me lehtësimin dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, ka thënë Jahjaga, bën të ditur Kosovapress.

Dialogu i filluar mbi bazën e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sipas Jahjagës duhet të vazhdojë dhe është rruga e vetme për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, si dy shtete të pavarura.

“Dialogu me Republikën e Serbisë paraqet rrugën e vetme dhe mënyrën më të mirë për t’i normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Fqinjësia e mirë është një prej kushteve themelore për anëtarësim evropian. Përkrahja për dialogun është bërë mbi parimin që zgjidhjet që duhet të dalin nga ai dialog duhet të jenë zgjidhje evropiane”, ka theksuar Jahjaga.

Por, ajo ka thënë se në asnjë mënyrë, me asnjë shtet e aq më pak me Serbinë, nuk mund të ketë asnjëherë dialog për subjektivitetin dhe tërësinë territorial të Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, integriteti dhe sovraniteti territorial i vendit është i paprekshëm. Kosova ka subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Është pranuar nga 85 vende të botës në tërësinë e saj të plotë tokësore, në kufijtë ekzistues, këtë e kemi arritur me angazhimin e të gjithë neve, me Qeverinë e Republikës së Kosovës, me Kuvendin e Kosovës, me angazhimin e shoqërisë civile, miqve tanë dhe shteteve që tashmë na kanë njohur. Pavarësia, shtetndërtimi, sovraniteti, subjektiviteti, tërësia territorial i Kosovës janë të panegociueshme, ky është proces i mbyllur. Për këtë jemi zotuar dhe kemi marrë mbështetjen e plotë të faktorit ndërkombëtar”, ka thënë ajo.

Me këtë rast, kreu i Republikës së Kosovës i ka bërë thirrje udhëheqjes serbe që të ndryshojë qasje dhe të heqë dorë nga pretendimet ndaj Kosovës.

“I bëjmë thirrje udhëheqjes së Republikës së Serbisë që të heq dorë nga pretendimet territoriale dhe që të ndërpres përkrahjen për strukturat ilegale kriminale në veri të Kosovës, të cilat po e mbajnë peng të ardhmen dhe përparimin e qytetarëve. Periudhat e luftërave dhe hegjemonisë në Ballkan kanë përfunduar”, ka theksuar Jahjaga.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA