Clinton takon Thacin: Mbështetje Kosovës

08/12/2011 00:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë përkrahjen e sekretares
amerikane të shtetit, Hillari Klinton për Kosovën në të gjitha sferat.

Në takim Thaci-Clinton, është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për implementimin e vlerave euro-atlantike dhe për tema tjera me interes të përbashkët.

Sipas Zyrës për informim të Qeverisë, te ciles i referohet Kosovapress, kryeministri Thaçi e ka njoftuar Sekretaren Clinton për zhvillimet e fundit në Kosovë, si dhe ka theksuar përkushtimin e institucioneve në dialogun teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

“Gjatë dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka pasur një qasje me vlera euroatlantike, duke dëshmuar edhe njëherë se Kosova është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon. Kosova ka ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe gjithashtu kemi dëshmuar vullnetin e mirë për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete të pavarura”, ka thënë ai.

Kryeministri ka theksuar se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë në proces të ndërmarrjes së reformave të thella ne fushën e legjislacionit të ndërlidhur me integrimet euroatlantike, me reformën elektorale, legjislacionit përkatës për sundimin e ligjit, qeverisjes së mirë, si dhe të zhvillimit ekonomik.

Nga ana e saj, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton e ka vlerësuar lart rolin e Qeverisë së Kosovës për të implementuar reformat institucionale në politikë, ekonomi dhe legjislacion.

Me theks të veçantë, Sekretarja e Shtetit, Clinton ka vlerësuar lartë përkushtimin e Prishtinës zyrtare në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj, ky përkushtim dëshmon vizionin euroatlantik të institucioneve të Kosovës.

Sekretarja e Shtetit, Clinton gjatë takimit të sotëm në Bruksel i ka ritheksuar kryeministrit Thaçi mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së SHBA-ve për Qeverinë e Kosovës në rrugën e saj për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe të kushtetutshmërisë në tërë territorin e Kosovës

Ashton-Thacit: Zbatim marrëveshjeve

Kryeministri Hashim Thaci, në vijim të vizitës së tij në Bruksel, është takuar me shefen e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, e cila ka mbështetur marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve të arritur me Serbinë.

Gjatë takimit, Ashton ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes, ndërkohë që ka vlerësuar rolin konstruktiv të Prishtinës në dialogun teknik me Beogradin.

Gjithashtu, Banoresha ka vlerësuar përkushtimin e qeverisë kosovare për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga axhenda evropiane, thuhet në një njoftim të kabinetit të Thacit.

Nga ana e tij, kryeministri kosovar ka shprehur përkushtimin e ekzekutivit të tij për implementimin e plotë të kritereve dhe standarteve evropiane, për të të hyrë në rrugën e integrimeve.

Gjithashtu, Thaci ka dhënë garanci për përkushtimin e Kosovës për një qëndrim konstruktiv në rajon, si dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore. 

Top Channel