Drejtues dhe deputet të Lëvizjes Vetëvendosje kërkojnë nga Kuvendi që të mos votojnë projektligjin për qendrën historike të Prizrenit.

Sipas zyrtarëve të VV-së projektligji në asnjë mënyrë nuk duhet të kalojë, pasi ai është diskriminues dhe antikushtetues.

“Qysh në negociatat e Vjenës, Serbia ia arriti qëllimit që t’i përvetësojë monumentet e trashëgimisë kulturore ortodokse mesjetare dhe t’i emërtojë si serbe. Këto kisha e manastire mesjetare që tani gabimisht i quajnë serbe, të ndërtuara në periudhën kur kombi si koncept nuk ka ekzistuar fare, tregon qartë synimet e Serbisë për të ndërtuar të drejtën historike në tokën e huaj. Kur politika vendos për emërtimin e trashëgimisë kulturore, qëllimi është gjithnjë politik dhe qasja jo shkencore. Andaj edhe Serbia, instrumentalizoi trashëgiminë kulturore mesjetare të Kosovës për qëllimet e saj politike”,  thotë Aida Dërguti, Vetëvendosje.  

Përmes këtij projekt/ligji synohet që të themelohet Qendra Historike e Prizrenit, ku kisha do të fitonte autoritet mbi organet komunale.

Sipas deputeteve të VV miratimi i këtij projektligji në thelb është diskriminues, shpërfill konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, për më tepër, ai i thellon ndarjet etnike dhe fetare.

“Do të doja të përmend faktin që ky projektligj është rrëzuar nga votat e deputetëve të Kuvendit të Republikëssë Kosovës, pas një debati mjaft të thellë dhe me po këto vërejtje. Ai tani vjen sërish, i pandryshuar as edhe për një presje të vetme edhe për kundër reagimit qytetar, peticionit me mbi 10 mijë nënshkrime, kundërshtimit tejet të artikuluar i shoqërisë civile në Prizren. Kjo arrogancë e qeverisë edhe përkundër elementeve diskriminuese, jep edhe një element shtesë se kjo qeveri duhet të shkojë sa më pare”, tha Liburn Aliu, Deputet i VV-së në Kuvendin e Kosovës.  
 
Sipas drejtuesve të VV-së risjellja e këtij projektligji për herë të dytë në Kuvend përveçse që shkel ligjet në fuqi, shpërfaq arrogancën e Qeverisë përballë qytetarëve e organizatave të shoqërisë civile të Prizrenit e të gjithë Kosovës, Kuvendit Komunal dhe Kuvendit të Kosovës.

Top Channel