Qeveria e Bullgarisë njoftoi të mërkurën se është tërhequr nga një projekt për ndërtimin e një naftësjellësi, të mbështetur kryesisht nga Rusia.

Ministri bullgar i Financave, Simeon Djankov deklaroi se vendi i tij dëshiron të anulojë pjesëmarrjen në këtë projekt.

Djankov tha se, Bullgaria është gati të paguajë 8.2 milionë dollarë, që është dhe detyrimi i saj ndaj projektit të naftësjellësit Transballkan.

Naftësjellësi në fjalë, që është 51 për qind në pronësi të Rusisë, synon të sjellë naftën në Evropë nga një rrugë që shmang ngushticat e Bosforit.

Vendimi i Bullgarisë përbën një pengesë të madhe për projektin, duke qenë se parashikon transportin e naftës ruse në Detin e Zi përmes portit Burgas të Bullgarisë, për furnizimin e sistemit të tubacioneve në Greqi.

Top Channel