Venecia dhe ODIHR, rekomandime për reformën

06/12/2011 08:55

Komisioni i Venecias dhe ODIHR kanë paraqitur një projekt vlerësimi dhe rekomandimesh për reformën zgjedhore në Shqipëri.

Projekti për reformën zgjedhore në Shqipëri është hartuar nga dy ekspertë, të cilët sugjerojnë përmirësimin e shumë neneve. Mësohet se rekomandimet janë të bazuara në problematikën e zgjedhjeve vendore në Shqipëri.

Ekspertët kanë deklaruar se duhet të përcaktohet qartë se si do veprohet me votat e hedhura në kutitë e gabuara.

Numërimi i votave të hedhura në kutitë e gabuara shkaktoi një valë polemikash dhe një përplasje të fortë politike në zgjedhjet e fundit vendore.

Pak ditë më parë komisioni parlamentar për reformën zgjedhore filloi nga puna dhe palët pjesëmarrëse u shprehën optimiste për arritjen e konsensusit.

Vendimet e para konsensuale të komisionit ishin vendime teknike, përfshirë edhe ngritjen e grupit të eksperteve.

Nisja e punimeve për reformën në fjalë u përshëndet nga faktori ndërkombëtar, në vecanti nga komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle, por edhe nga europarlamentarë të ndryshëm.

Edhe ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi, në një intervistë për Top Channel deklaroi se është një lajm i mire vullneti për konsensus dhe reforma, që lidhen më së shumti me reformën zgjedhore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA